Platforma Smile për çdo shqiptar – SmileAL

Platforma Smile për çdo shqiptar

Platforma më e dashur e shqiptarëve Smile.al operon tashmë që prej Tetor ‘21, duke qenë e para dhe e vetmja platformë crowdfunding në Shqipëri për mbledhje fondesh nga publiku për të mbështetur projekte me karakter social.

Që nga lançimi i saj janë hapur 2 thirrje dhe janë hedhur në platformë 20 projekte për t’u mbështetur. Projektet i përkasin organizatave të ndryshme jo fitimprurëse që operojnë prej vitesh në Shqipëri dhe projektet e hedhura në platformë kanë qenë në mbështetje të kauzave dhe shtresave të ndryshme të shoqerisë në fusha si solidariteti, inovacioni, mirëqenia, arsimi etj.

Përgjatë thirrjes së parë lançuar në Maj ‘21, u hodhën në platformën Smile 12 projekte të cilat kërkuan mbështetje nga shqiptarët në Shqipëri dhe në botë për t’u realizuar. Këto projekte u materializuan dhe me kontributin e madh të partnerëve strategjikë të platformës Smile: Banka Credins, Partners Albania, Grant Thorton dhe Vodafone Albania.

Dy projektet e para të implementuara me sukses të plotë nga kontributet e dhuruara në Smile.al janë:

  • “Kovat Blu”- Kujdes dhe Mbrojtje për të Moshuarit, nga “Dorcas Aid International Albania”, ku u mbështetën me pako ushqimore të moshuar të vetmuar të zonës së Korçës.
  • “Serë për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara intelektuale” në shkollën Luigj Gurakuqi në Tiranë, e cila i shërben 127 fëmijëve dhe të rinjve më aftesi të kufizuara intelektuale të moshës 6-18 vjeç.

Në total u implementuan në mënyrë të suksesshme 7 projekte, duke sjellë një kontribut të vogël në shoqërinë shqiptare në ndihmë të shtresave në nevojë.

Përgjatë thirrjes së dytë lançuar në Tetor ‘22, janë hedhur në platformën Smile 8 projekte, të cilat janë në proces për të mbledhur fonde që do të dhurohen nga publiku. Çdo organizatë jo fitimprurëse tashmë ka një mundësi më shumë për të implementuar projekte të bukura nëpërmjet platformës Smile, duke sjellë në vëmendje të publikut projekte dhe kauza për të cilat duhet të solidarizohemi të gjithë si shoqëri.

Partnerët strategjikë të platformës Smile dhe veçanërisht Banka Credins si krijuese dhe zotëruese e kësaj platforme, kanë si qëllim të rrisin përgjegjshmërinë e individëve, bizneseve dhe institucioneve përsa i takon objektivave për zhvillim të qëndrueshëm të të gjithë shoqërisë si dhe të sensibilizohemi për të kontribuar bashkërisht në ndihmë të shoqërisë, shtresave në nevojë, arsimit, inovacionit etj. Një dhurim sado i vogël vlen dhe dhurimi për këto kauza duhët të bëhet pjesë e përditshmërisë tonë.

Platforma Smile i shërben shoqërisë shqiptare dhe mbi 3.5 milion shqiptarë në Shqipëri dhe në botë kanë vizituar projektet e hedhura në Smile.al dhe shumë prej tyre kanë kontribuar duke dhuruar për projektet e tyre të zemrës. Platforma ofron transparencë të plotë për çdo dhurim dhe secili dhurues mund ta bëjë ose jo transparent emrin e tij/saj. Çdo organizatë fituese e projekteve, duhet të bëjë transparente në platformë projektet e finalizuara në mënyrë që secili dhurues të shohë kontributin personal të dhënë për shoqërinë që ka shkuar në destinacionin e caktuar.

Së fundmi, një falenderim i madh shkon për çdo shqiptar dhe për çdo biznes të cilët kanë mundësuar finalizimin e sukseshëm të 7 projekteve të implementuara me shumë dashuri. Projekte akoma më të bukura na presin ndaj, ju ftojmë të hyni në Smile.al, të vlerësoni dhe zgjidhni projektin që ju pëlqen, dhe secili prej jush me zemër, të bëjë një dhurim modest.

Le ta bëjmë çdo muaj, pasi vetëm kështu do të arrijmë të sjellim një ndryshim të vogël. Le të bashkohemi për të treguar vlerat tona të cilat na kanë karakterizuar ndër shekuj.

Së bashku më mirë.

Dhuroni në Smile.al!

Kthehu mbrapa