Rregullore – SmileAL

Rregullore

QËLLIMI

  1. Në kuadër të programit Smile.al, në këtë Rregullore përcaktohen kushtet dhe afatet për funksionimin e saj, si dhe roli që kanë dhe përbërja e organeve drejtuese.
  2. Objektivat kryesore të kësaj Rregulloreje janë:

  • Të përcaktojë me saktësi parimet kryesore për funksionimin e platformës;
  • Të përshkruajë kushtet për përfshirjen në platformë;
  • Të përcaktojë rolet specifike të organeve drejtuese;
  • Të sigurojë pajtueshmëri dhe transparencë në zbatimin e procedurave që lidhen me platformën e lartpërmendur.

3.Njësitë e Fondacionit përgjegjëse për përditësimin e Rregullores janë:

  • Departamenti i Marketingut për Përgjegjësinë Sociale dhe të Korporatës, si njësia kompetente dhe përgjegjëse për monitorimin e pajtueshmërisë me këtë Rregullore, përmes së cilës rregullohet funksionimi i platformës elektronike; dhe
  • Departamenti i Marketingut si njësia përgjegjëse për koordinimin e mënyrës së funksionimit të platformës;
  • Departamenti i Marketingut si njësia përgjegjëse për administrimin dhe funksionimin e duhur të platformës elektronike.

Menyra e Funksionimit

Qëllimi i platformës Smile.al është të mbështesë iniciativat për mbrojtjen sociale, mirëqënien, solidaritetin, ndërmarrjen sociale dhe novatore, si dhe investimet në kapitalin njerëzor duke u përqendruar kryesisht te komuniteti, mjedisi zhvillimi i qëndrueshëm. Gjithashtu, kjo platformë mundohet që të japë një kontribut në administrimin efikas të fondeve të mbledhura nga individët dhe/ose subjektet ligjore që duan të ndihmojnë në transformimin financiar, social dhe mjedisor të ekonomisë dhe në përgjithësi të situatës në Shqipëri.

Burimet e mbledhura do të përdoren për tematikat e mëposhtme të platformës Smile.al:

  1. Mirëqenia, Shëndeti dhe Solidariteti
  2. Ekonomia Sociale dhe Sipërmarrja
  3. Kultura dhe Sipërmarrja Kulturore
  4. Rinia dhe Sipërmarrjet novatore
  5. Mjedisi e Qëndrueshmëria
  6. Kërkimi, Edukimi dhe Trajnimi
  7. Aktivitetet sportive

Funksionimi i platformës do të bazohet në platformën e krijuar posaçërisht për këtë qëllim, përmes së cilës individët ose subjektet ligjore (donatorët) do të kenë mundësi të ofrojnë para, të ofrojnë shërbime vullnetare dhe dhurime në kontekstin e veprimtarisë aktuale të kësaj platforme.

Platforma Smile.al ka për qëllim të mbulojë në mënyrë graduale të gjitha llojet e aktiviteteve të mbledhjes së fondeve online “nga publiku”, në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi, si dhe në veçanti të shfrytëzojë potencialin për t’i mbledhur fondet nëpërmjet: (i) donacioneve (modeli i donacioneve), (ii) huave (modeli i huave) dhe (iii) financimit të kapitalit (modeli i kapitalit). Fillimisht, platforma do të jetë e fokusuar në modelin e donacioneve, përmes mbledhjes së fondeve nga pjesëmarrësit.

STRUKTURA

Organet e kësaj platforme janë si më poshtë:

1. Komiteti i Strategjisë

Qëllimi, Detyrat dhe përgjegjësitë

Komiteti i Strategjisë ka për qëllim të ofrojë këshillime të vazhdueshme lidhur me drejtimin strategjik të platformës bazuar në ekspertizën dhe përvojën e konsiderueshme të anëtarëve të tij, si dhe të miratojë organet që do të merren me zbatimin e veprimeve dhe projekteve. Këshillimet jepen për çështje që kanë lidhje me zhvillimet aktuale në fushat e veprimit të platformës dhe në të njëjtën kohë, ofrojnë ide dhe propozime të reja strategjike që do të merren në konsideratë dhe do të vihen në zbatim nga Komiteti i Drejtues.

Me qëllim për të optimizuar rolin e platformës Smile.al, Komiteti i Strategjisë:

  • Do të monitorojë zhvillimin e platformës duke ofruar mbështetje dhe këshilla për çështje që kanë lidhje me veprimet e tij;
  • Do të miratojë, të paktën dy herë në vit, organet zbatuese të projekteve për çdo fushë kryesore, duke u bazuar në propozimin e bërë nga Komiteti Drejtues.
  • Do të miratojë, të paktën dy herë në vit, veprimet e rekomanduara përkatësisht nga Komiteti Drejtues.
  • Do të propozojë fusha të reja veprimi dhe veprimtari në kontekstin e platformës;
  • Do të trajtojë të gjitha pyetjet e ngritura nga Komiteti Drejtues duke u dhënë përgjigjet dhe sqarimet përkatëse në nivel këshillimor.

Përbërja dhe Përzgjedhja e Anëtarëve

  • Komiteti i Strategjisë përbëhet nga të paktën 5 anëtarë, individë dhe subjekte ligjore që mbështesin punën e Komitetit dhe Platformës, në përgjithësi, me ekspertizën dhe përvojën e tyre në përgjegjësinë sociale të korporatave dhe çështje të tjera, të përcaktuara më poshtë në këtë rregullore, dhe/ose kontribuojnë duke siguruar fonde për Slime.al.
  • Një nga përfaqësuesit e Fondacionit Credins, do jetë dhe Kryetari i Komitetit të Strategjisë së Programit. Dy (2) anëtarë, përzgjidhen nga Fondacioni Credins dhe emërohen përmes një Akti Administrimi.
  • Anëtarët e tjerë të Komitetit Strategjik perzgjidhen nga Partneret bazuar në nevojën e përfaqësimit të institucioneve dhe organeve që marrin pjesë në Platform, si dhe në ekspertizën e tyre lidhur me sponsorizimet, mbledhjen e fondeve online, përgjegjësinë sociale të korporatës dhe kontributin e përgjithshëm ndaj shoqërisë në tërësi. Numri i anëtarëve të Komitetit të Strategjisë mund të rritet me vendimin unanim të anëtarëve ekzistues me propozim të Kryetarit të Komitetit.
  • Afati i mandatit anëtarëve të Komitetit të Strategjisë është një vit dhe mund të rinovohet për një kohë të pacaktuar.
  • Në përputhje me rregulloren e Smile.al, anëtarët e Komitetit të Strategjisë nuk do të marrin pagesë për pjesëmarrjen e tyre dhe nuk do të jenë përgjegjës për administrimin e projekteve dhe të platformës në përgjithësi, për të cilat, në përputhje me ligjin do të jetë Komiteti Drejtues.

Mënyra e funksionimit

Komiteti:

  • Do të mblidhet të paktën dy herë në vit dhe për çdo mbledhje do të mbahet një procesverbal.
  • Do të formojë një kuorum dhe diskutimet e tij do të jenë të vlefshme, në rast se do të jetë e pranishme gjysma plus një nga anëtarët e tij (përfshirë Kryetarin ose zëvendësuesin e tij).
  • Do të mbështetet nga një Sekretariat, me qëllim për t’i përmbushur me efikasitet dhe sukses detyrat e tij, si dhe për të regjistruar/dokumentuar vendimet e marra. Kryetari i Komitetit Strategjik do të emërojë nje (1) anëtarë te Komitetit Strategjik qe perfaqeson fondacionin dhe (1) anëtar të Sekretariatit, të cilët nuk do të trajtohen me pagesë.
3. Komiteti Drejtues

Platforma koordinohet, drejtohet dhe menaxhohet nga Fondacioni Credins përmes Komitetit Drejtues të emëruar me vendim të brendshëm.

Komiteti Drejtues do të marrë udhëzimet e nevojshme nga Kryetari i Komitetit të Strategjisë për përzgjedhjen e projekteve dhe bashkëpunimin në përputhje me strategjinë e Fondacionit dhe Politikën për Përgjegjësinë Sociale. Gjithashtu, ai do të përgatisë dhe do t’i përcjellë Komitetit të Strategjisë raporte për progresin, monitorimin vlerësimin dhe përgjegjshmërinë.

Përgjegjësitë dhe detyrat e tij kryesore janë:

  • Përzgjedhja paraprake e projekteve bazuar në kritere të veçanta (për shembull: identifikimi i nevojave për çdo fushë veprimi, realizueshmëria e zbatimit të projekteve të propozuara, përllogaritja e kostove në lidhje me rezultatet e arrira), si dhe dorëzimi i një “dosjeje të plotë dokumentacioni” për çdo projekti dhe paraqitja e një rekomandimi përkatës me qëllim për të kryer përzgjedhjen përfundimtare të projekteve që do të zbatohen, si dhe marrja e miratimit nga Komiteti i Strategjisë.
  • Përzgjedhja paraprake e organeve zbatuese pas marrjes së shprehjes së tyre të interesit dhe vlerësimi i kritereve specifike për të drejtën për t’u përzgjedhur, si:

I. Kriteret institucionale

  • Të jenë krijuar sipas ligjeve në fuqi dhe të kenë organe drejtuese;
  • Të jenë të regjistruara në regjistrat përkatës, nëse kërkohet;
  • Të veprojnë në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi lidhur me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit;
  • Nuk ka asnjë vendim të parevokueshëm gjykate kundër tij dhe/ose përfaqësuesve të tij ligjorë për mashtrim (sipas kuptimit të Nenit 1 të Konventës për Mbrojtjen e Interesave Financiare të Bashkimit Evropian), pjesëmarrje në organizata kriminale (sipas Nenit 2.1 të Veprimit të Përbashkët të Këshillit 98/773/JHA), korrupsion (sipas Nenit 3 të Aktit të Këshillit, datë 26 Maj 1997 dhe Nenit 3.1 të Veprimit të Përbashkët të Këshillit 98/742/CFSP), dhe pastrim parash (sipas Nenit 1 të Direktivës së Këshillit 91/308/EEC për parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për pastrimin e parave).

II. Kritere financiare

  • Të dorëzojnë pasqyrat financiare për te pakten vitin e fundit;
  • Të mos kenë detyrime të sigurimeve shoqërore dhe tatimore të papaguara;
  • Të kenë shpërndarë ose të kenë administruar fonde për bamirësi ose qëllime të tjera;
  • Të jenë të besueshëm sipas kritereve që aplikohen sa herë që vendoset një marrëdhënie biznesi me institucionet kreditore dhe të kenë burimet e duhura për operimin e tyre.

III. Kritere të tjera që mund të jenë në favor të kandidatit

  • Të kenë përvojën e duhur në veprimtari të ngjashme, si dhe të vërtetojnë se kanë kontribuar në fusha të tilla veprimi;
  • Deklaratë e përfaqësuesve të tyre ligjorë lidhur me aftësinë administrative, shkencore dhe operacionale për të ofruar mbështetjen e nevojshme në kuadrin e çdo veprimi, duke zbatuar dhe respektuar parimet e transparencës, përkushtimit dhe përgjegjshmërisë.

Të gjitha organet zbatuese mund të dorëzojnë aplikimin përkatës nëpërmjet faqes së internetit të platformës.

Pas përfundimit të përzgjedhjes paraprake, Komiteti Drejtues do të paraqesë një rekomandim lidhur me përzgjedhjen përfundimtare dhe miratimin nga Komiteti i Strategjisë së organeve që do të marrin pjesë në platformë.

  • Koordinimi i veprimeve të nevojshme mes organeve zbatuese dhe donatorëve.
  • Administrimi i veprimeve dhe bashkëpunimi përfshirë të gjitha hapat e kërkuara për të mbështetur projektet (p.sh. hapja e llogarisë dhe administrimi në kontekstin e projekteve, etj.)
  • Kontrolli dhe monitorimi i administrimit e zbatimit të fazave individuale për çdo projekt, si dhe respektimi i afateve të rëna dakord.
  • Vlerësimi i punës së platformës mbi bazën e raporteve të progresit dhe të monitorimit.
  • Promovimi i platformës dhe i projekteve individuale në bashkëpunim me organet zbatuese.
  • Bashkëpunimi me njësitë kompetente të Fondacionit me qëllim për të siguruar përputhshmërinë e çdo veprimi/projekti me kuadrin rregullator dhe legjislativ që është në fuqi.
  • Administrimi i krizave dhe rreziqeve që mund të lindin nga zbatimi i projekteve, në bashkëpunim, sipas rastit, me organet përkatëse zbatuese.
  • Përzgjedhja e një auditori të jashtëm të pavarur.

Sipas legjislacionit, Komiteti Drejtues është përgjegjës për administrimin e projekteve dhe të platformës në përgjithësi.

Përbërja dhe përzgjedhja e anëtarëve

Anëtarët e Komitetit Drejtues janë punonjës të Departamentit Marketing dhe numri i tyre përcaktohet me vendim nga Drejtori i Përgjithshëm. Kusht paraprak për përzgjedhjen e tyre është se duhet të kenë ekspertizë për çështje që lidhen me qëllimin e detyrave të tyre, sipas përcaktimeve të bëra me vendim të Këshillit Drejtues.

  • Afati i mandatit të anëtarëve të Komitetit Drejtues është për një vit dhe mund të rinovohet për një kohë të pacaktuar.
  • Në përputhje me rregulloren e platformës Smile.al, anëtarët e Komitetit Drejtues nuk do të marrin pagesë për pjesëmarrjen e tyre në këtë komitet.

Pjesëmarrja në platformë nënkupton pranimin e kushteve të përcaktuara në këtë Rregullore si dhe të kushteve të përdorimit të platformës elektronike.

RREGULLAT DHE PARIMET E PËRGJITHSHME

Transparencë dhe qartësi në dokumentim: Të gjitha projektet në kontekstin e platformës do të përshkruhen me qartësi dhe transparencë të plotë, në mënyrë që të gjithë pjesëmarrësit t’i kuptojnë plotësisht procedurat përkatëse para se të vendosin për të marrë pjesë në të. Të gjitha palët e interesuara do të kenë mundësi që përmes platformës të paraqesin pyetjet/kërkesat

  • Përgjegjshmëria: Në datën 31 dhjetor të çdo viti, Komiteti Drejtues do t’i dorëzojë organeve kompetente të Fondacionit një raport për mbledhjen e fondeve sipas parashikimeve të ligjit. Të gjitha organet bashkëpunuese do të veprojnë në përputhje me kërkesat e platformës dhe kushtet e veçanta për funksionimin e tij. Të gjitha dokumentet dhe të dhënat që lidhen me platformën do të mbahen në një dosje të veçantë për një periudhë të paktën pesë (5) vjeçare pas përfundimit të bashkëpunimit dhe do të vihen në dispozicion të autoriteteve gjyqësore dhe mbikëqyrëse në rast se dyshohet për mashtrim apo për aktivitete të tjera të dyshimta.
KUSHTET PËR PËRDORIMIN E PLATFORMËS – MBROJTJA E TË DHËNAVE DHE INFORMACIONEVE KONFIDENCIALE

Platforma elektronike do të funksionojë në përputhje me kushtet dhe termat specifike për të cilat çdo përdorues duhet të jetë në dijeni dhe duhet të njihet me to para se të marrë pjesë në platformë.

Fondacioni Credins do të marrë të gjitha masat për të siguruar mbledhjen dhe përpunimin e duhur e të ligjshëm të të dhënave personale si dhe t’i ruajë ato në përputhje me dispozitat e kuadrit përkatës rregullator në përputhje me kërkesat e parashikuara në Ligjin nr. 9887, datë 10/03/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale ” i ndryshuar si dhe akteve nënligjore te dala ne zbatim te tij.